Prof. Ass. Dr. Ing. Blerim Lutolli ka lindu në Prishtinë, ku përfundoi arsimin fillor dhe të mesëm. Në vitin 2012, ai përfundoi me sukses të lartë studimet bachelor në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Po në atë vit, në kuadër të programit CEEPUS, kreu një semestër në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit Teknik të Pragës ne Republiken e Cekise.
Nga viti 2012 deri në vitin 2014, punoi në disa studio arkitektonike në qytete të ndryshme evropiane, përfshirë Zagrebin (Kroaci) dhe Këlnin (Gjermani), ku pati rastin të punojë edhe në studion e arkitektit të njohur gjerman, Pritzker-it Gottfried Böhm.
Në vitin 2014, ai filloi studimet master në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Mariborit (Slloveni) ku përfitoi bursën JoinEU SEE PENTA të Komisionit Evropian. Gjatë këtyre studimeve, u dallua për sukses të jashtëzakonshëm akademik duke u shpërblyer si student i dalluar. Në vitin 2016 fitoi titullin “Magjistër Inxhinier i Arkitekturës”, ku vazhdoi me pas përvojën profesionale si arkitekt në Minhen (Gjermani).
Ne vitin 2018 Blerim Lutolli filloi studimet doktoraturës në një nga institucionet më prestigjioze ndërkombëtare për arkitekturë – Universitetin Bauhaus në Weimar, Gjermani. Hulumtim i tij doktoratures u mbeshtet financiarisht nga shërbimi gjerman i shkëmbimit akademik DAAD. Në vitin akademik 2020 u angazhua si ligjërues në nivelin master në lëndën e objekteve të banimit në fakultetin e arkitektures në Universitetin Bauhaus në Weimar. Në vitin 2023, ai përfundoi doktoraturën dhe mori titullin Dr. Ing. me temën: “A View of Flexible Housing in Germany – The Potential of Flexible Housing to Cope with the Social Changes of Users”.
Blerim Lutolli është gjithashtu arkitekt i licencuar në Gjermani dhe anëtar i Odës së Arkitektëve në landin e Thüringen-it. Ai është po ashtu drejtues i studios “Lutolli Architects + Partners” në Prishtinë, e themeluar në vitin 2019. Studioja ka realizuar projekte të shumta brenda dhe jashtë vendit dhe është shquar për cilësinë e lartë të punës dhe qasjen bashkëkohore.
Që nga viti 2024, ai është i angazhuar si profesor në Fakultetin e Arkitekturës në Kolegjin AAB ku kontribuon me përvojën dhe ekspertizën e tij në mësimdhënie dhe hulumtim shkencor.
Prof. Blerim Lutolli është autor i një sëre publikimeve shkencore, të indeksuara në platformat ndërkombëtare si SCOPUS, dhe ka kontribuar në fushën e arkitekturës me analiza teorike dhe botime në temat e ndryshme të arkitekturës.