PhD(c) Isuf Tredhaku, është i lindur në Malishevë ku ka përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet universitare në telekomunikacion i ka përfunduar në vitin 2011 në Universitetin e Prishtinës, me ç’rast është shpallur student i dalluar. Gjatë këtyre studimeve ka shprehur interesim më të theksuar në teorinë e antenave.
Studimet master në telekomunikacion i ka përfunduar në vitin 2019 me temën “Optimizimi i efiçiencës së energjisë në një sistem 5G me anë të metodave të programimit fraksional dhe programimit gjeometrik”. Studimet master në fizikë i ka përfunduar në vitin 2020 me temën “Efekti i skajeve në outgasingun e heliumit nga qelqi ULE”. Nga viti 2022 është student i doktoratës në Universitetin e Zagrebit, në fushën e nanofotonikës, konkretisht në analizën teorike dhe numerike të bashkëveprimit ndërmjet nanoantenave optike dhe sistemeve shumështresore.
Në veprimtarinë e tij profesionale dhe kërkimore, studiuesi Tredhaku është angazhuar në zhvillimin e softuerëve dhe algoritmeve për optimizimin e orareve të mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës, duke aplikuar algoritmin gjenetik dhe Tabu Search, në kuadër të aplikacionit e-shkollori. Krahas kësaj, ai ka kontribuar si mësimdhënës privat i matematikës dhe elektronikës për studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.
Në kuadër të formimit të tij akademik, studiuesi Tredhaku ka marrë pjesë në simpoziume dhe punëtori shkencore në Zagreb, si dhe në një shkollë verore në Paris. Angazhimi i tij është mbështetur përmes bursave të Universitetit të Prishtinës dhe të Ministrisë së Arsimit gjatë studimeve të doktoratës. Beson në filozofinë se çdo progres shoqëror dhe ekonomik paraprihet nga zhvillimi shkencor dhe teknologjik.