Dr. Enver Bislimi, i lindur në Lipjan, ka përfunduar shkollën fillore në Gadime, ndërsa shkollën e mesme e ka përfunduar në Ferizaj, në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika”.
Studimet universitare i ka përfunduar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.
Ka punuar si mjek në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shalë, ku është dalluar për përkushtimin e tij dhe për mjekimin e pacientëve me metoda kirurgjike, të cilat zakonisht nuk praktikohen në nivelin primar të shërbimeve shëndetësore. Paralelisht, ka punuar edhe si profesor në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj, aty ku edhe kishte qenë nxënës gjatë shkollimit të mesëm.
Pas një kohe të shkurtër, fillon specializimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në drejtimin e ortopedisë, ku fitoi përvojë në trajtimin e pacientëve me probleme shëndetësore ortopedike.
Gjatë specializimit në ortopedi, merr një licencë të përkohshme si mjek nga Drejtoria e Shëndetësisë e Norvegjisë dhe, në shtator të vitit 2017, udhëton për në Norvegji me qëllim avancimin profesional dhe fitimin e përvojave të reja mjekësore. Në Norvegji arrin të marrë licencën e përhershme si mjek brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër (6 javë).
Në Norvegji, Dr. Bislimi ka punuar në spitale prestigjioze, si p.sh. Stendi Senior AS në Oslo, Spitalin Universitar “Haukeland Universitetssykehus” në ish kryeqytetin e Norvegjisë në Bergen, pastaj në Spitalin Qendror në Førde (Førde Sentral- sykehus). Ndërsa, që nga shtatori i vitit 2022, punon në spitalin e ri në Norvegji “Sykehuset Østfold – Kalnes” si mjek për sëmundje kanceroze, duke treguar përkushtim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Në këtë spital, përveç punës së zakonshme si mjek onkolog, është i angazhuar edhe në disa studime shkencore, ndër të tjera në lidhje me kancerin e pankreasit dhe të fshikëzës urinare.
Plani i Dr. Bislimit është që, në një të ardhme të afërt, të kthehet dhe të vazhdojë kontributin e tij në vendlindje.