Edlira Martiri është Profesore e Asociuar pranë Universitetit të Tiranës, ku është e angazhuar në kërkime dhe lëndë në fushën e sigurisë së informacionit dhe kriptografise. Ajo mban dy gradë doktorature: e para nga Universiteti i Tiranës (2016) dhe e dyta nga Norwegian University of Science and Technology (NTNU), Norvegji (2022). Kërkimi i saj doktoral në NTNU u fokusua në mbrojtjen e të dhënave sensitive, modelimin e sulmuesve dhe implementimin e algoritmeve të rinj gjenerues të të dhënave sintetike, fusha këto që adresojnë sfida kritike të privatësisë dhe sigurisë në sistemet e identifikimit biometrik.
Dr. Martiri ka një prodhimtari të gjerë shkencore. Ajo është autore dhe bashkë-redaktore e mjaft punimeve shkencore, librave, duke përfshirë vëllime të publikuara nga shtëpi botuese ndërkombëtare si CRC Press/Routledge dhe Springer. Puna e saj shkencore ndërthur fusha si biometria, mbrojtja e të dhënave, siguria kibernetike dhe inteligjenca artificiale, me kontribute që lidhin kërkimin akademik me zbatimin praktik në industri. Ajo shërben si NCP - National Contact Point e Shqipërisë për European Association for Biometrics (EAB), duke përfaqësuar vendin në komunitetin evropian të kërkimit biometrik, si dhe është anëtarja e parë e Komitetit Drejtues të European Cyber Security Challenge (ECSC) nga ENISA. Aty ajo ka drejtuar debutimin e Shqipërisë duke hapur rrugën për angazhimin e talenteve të reja shqiptare në siguri kibernetike në skenën evropiane.
Përtej rolit akademik, Dr. Martiri është bashkëthemeluese e një kompanie në fushën e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave, ku drejton zhvillimin strategjik dhe operacional. Përmes kësaj pune, ajo ka ofruar ekspertizë praktike në standarde dhe kuadro ndërkombëtare të pajtueshmërisë si ISO 27001, GDPR, SOC 2, NIS2, etj., duke shërbyer si këshilltare dhe trajnere në banka, institucione financiare dhe organizata të tjera. Kjo qasje e ka lejuar të mbajë një ekuilibër që kombinon rigorozitetin akademik me njohuri praktike të industrisë, duke pasuruar kërkimin dhe kontributin në shoqëri.