Astrit Bilalli u lind në fshatin Shtuticë, komuna e Drenasit. Është doktor i shkencave të biologjisë dhe aktualisht punon si profesor në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, ndërsa është bashkëpunëtor i jashtëm akademik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Studimet universitare i kreu në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Departamentin e Biologjisë, ku përfundoi Bachelorin në Biologji, drejtimin Ekologji–Mbrojtje e ambientit (2006–2009). Studimet Master i vijoi po në të njëjtin drejtim (2009–2011), ndërsa studimet e doktoratës e përfundoi në programin “Biologji e organizmave dhe ekologji” (2014–2019), duke fituar gradën Doktor i shkencave të biologjisë.
Fusha e tij e kërkimit përfshin biologjinë e ujërave të ëmbla, me theks në entomologjinë akuatike dhe përdorimin e makroinvertebrorëve si bioindikatorë për vlerësimin e cilësisë ekologjike të ekosistemeve ujore. Interesat shkencore përfshijnë gjithashtu biodiversitetin, sistematikën dhe taksonominë e grupeve të ndryshme shtazore, si dhe ndikimin e faktorëve mjedisorë në strukturën e komuniteteve ujore.
Ka publikuar punime shkencore në revista ndërkombëtare të indeksuara dhe ka marrë pjesë në projekte kërkimore brenda dhe jashtë vendit. Ai është i përfshirë në komunitetin shkencor përmes konferencave, bashkëpunimeve akademike dhe mbështetjes së studentenëve dhe të rinjve kërkimorë në zhvillimin e aktiviteteve shkencore.