Energjia ka qenë gjithmonë një nga themelet e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Nga ngrohja e shtëpive dhe përgatitja e ushqimit, te prodhimi industrial, transporti dhe teknologjitë moderne, pothuajse çdo etapë e rëndësishme e zhvillimit të shoqërisë është shoqëruar me përdorimin e energjisë.
Ajo që ka ndryshuar gjatë historisë nuk është nevoja për energji, por burimet dhe mënyrat se si e përdorim atë. Sot po ndodh një transformim tjetër i madh: transporti, ngrohja, industria dhe ekonomia digjitale po mbështeten gjithnjë e më shumë në energjinë elektrike.
Por ky transformim nuk nënkupton vetëm ndryshimin e burimeve të energjisë. Ai ndryshon edhe mënyrën se si energjia prodhohet, shpërndahet dhe konsumohet, si dhe natyrën e varësisë energjetike dhe të ndërvarësisë ndërmjet vendeve. Këto ndryshime krijojnë mundësi për përdorim më efikas të energjisë, por edhe sfida të reja për funksionimin e sistemit elektroenergjetik dhe për sigurinë e furnizimit.
Nga druri dhe uji te thëngjilli dhe nafta
Për shekuj me radhë, druri ishte një nga burimet kryesore të energjisë. Ai përdorej për ngrohje, për përgatitjen e ushqimit dhe në procese të ndryshme artizanale. Në të njëjtën kohë, fuqia e ujit dhe e erës shfrytëzohej për të vënë në lëvizje pajisje mekanike, siç ishin mullinjtë për bluarjen e drithërave.
Revolucioni industrial ndryshoi rrënjësisht këtë marrëdhënie. Zhvillimi i makinës me avull dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i makinerive në industri dhe transport rritën kërkesën për burime energjetike me dendësi më të lartë. Thëngjilli u bë një nga burimet kryesore që mundësoi industrializimin.
Makineritë rritën produktivitetin, ulën kostot e prodhimit dhe mundësuan prodhimin e mallrave në sasi shumë më të mëdha. Por ky zhvillim solli edhe një efekt tjetër: sa më shumë përdoreshin makineritë, aq më shumë energji kërkohej.
Me zhvillimin e motorit me djegie të brendshme, nafta dhe derivatet e saj fituan një rol po aq të rëndësishëm. Automobili transformoi mobilitetin individual, ndërsa kamionët, anijet dhe më vonë aviacioni krijuan një sistem transporti që sot lidh pothuajse të gjithë ekonominë botërore.
Kështu, zhvillimi ekonomik dhe teknologjik u shoqërua me një rritje të jashtëzakonshme të konsumit të energjisë. Kjo rritje u përshpejtua veçanërisht pas mesit të shekullit XX dhe u mbështet kryesisht në përdorimin gjithnjë e më të madh të thëngjillit, naftës dhe gazit.
Por ky zhvillim pati edhe një kosto mjedisore. Djegia e thëngjillit, naftës dhe gazit çliron dioksid karboni (CO₂) dhe gazra të tjerë serrë. Me rritjen e konsumit të këtyre burimeve, u rritën edhe emetimet, duke e bërë sektorin e energjisë një nga faktorët kryesorë të ndryshimeve klimatike (IPCC, 2023).
Elektriciteti ndryshoi mënyrën se si e përdorim energjinë
Një transformim tjetër i madh filloi në fund të shekullit XIX me zhvillimin e sistemeve moderne të energjisë elektrike.
Energjia elektrike ka një karakteristikë të rëndësishme: ajo mund të gjenerohet në një vend dhe të transmetohet përmes rrjetit elektroenergjetik drejt konsumatorëve që ndodhen larg vendit të gjenerimit. Përveç transmetimit të energjisë në distancë, elektriciteti mundësoi edhe përdorimin më fleksibil të saj në industri dhe në jetën e përditshme, duke ndryshuar mënyrën e organizimit të prodhimit dhe të aktiviteteve ekonomike.
Në fillim, energjia elektrike përdorej kryesisht për ndriçim. Por shumë shpejt u zhvilluan edhe pajisje të tjera, si motorët elektrikë, frigoriferë, shporete, makina larëse, televizorë si dhe gjithnjë e më shumë pajisje industriale.
Sot është pothuajse e pamundur ta imagjinojmë jetën moderne pa energji elektrike. Familjet, industria, spitalet, shkollat, telekomunikacioni, bankat dhe infrastruktura digjitale varen nga furnizimi i vazhdueshëm me energji elektrike.
Në vetëm rreth 140 vjet, energjia elektrike është shndërruar nga një risi teknologjike në një element themelor i infrastrukturës së shoqërisë moderne.
Nga vjen energjia elektrike?
Energjia elektrike nuk është burim primar i energjisë, por një formë energjie që përftohet përmes transformimit të burimeve të tjera energjetike.
Për një kohë të gjatë, thëngjilli dhe uji ishin ndër burimet kryesore për gjenerimin e energjisë elektrike. Më vonë u shtuan gazi, derivatet e naftës dhe energjia bërthamore. Vendet zhvilluan sisteme energjetike të ndryshme, në varësi të burimeve që kishin në dispozicion.
Vendet me potencial të madh hidroenergjetik, si Shqipëria, Norvegjia, Zvicra dhe Austria, zhvilluan kapacitete të konsiderueshme hidroenergjetike. Vende të tjera u mbështetën më shumë në thëngjill, gaz, energji bërthamore apo në kombinime të këtyre burimeve. Kjo krijoi edhe një dimension të ri të sigurisë energjetike.
Burimet e naftës dhe gazit janë të përqendruara në një numër relativisht të kufizuar vendesh. Për ekonomitë që varen nga importi, furnizimi me energji u bë gjithnjë e më shumë edhe çështje ekonomike dhe gjeopolitike. Krizat e naftës të viteve 1970 treguan qartë se ndërprerja apo kufizimi i furnizimit me energji mund të ketë pasoja të mëdha në çmime, prodhim dhe mirëqenie.
Këtë e kemi parë sërish vitet e fundit: energjia nuk është vetëm çështje e gjenerimit dhe konsumit, por edhe e sigurisë ekonomike dhe kombëtare.
Tani po fillon një transformim tjetër
Sot sistemi energjetik po kalon nëpër një transformim të ri. Këtë herë ndryshimi është i lidhur me dy procese që zhvillohen paralelisht dhe janë të ndërlidhura: dekarbonizimin dhe elektrifikimin.
Për të reduktuar emetimet e gazrave serrë (kryesisht CO₂), shumë vende po rrisin investimet në burime të ripërtëritshme, veçanërisht në energjinë diellore dhe atë të erës. Në të njëjtën kohë, teknologjitë që tradicionalisht përdorin drejtpërdrejt thëngjillin, derivatet e naftës ose gazin po zëvendësohen gjithnjë e më shumë me teknologji që funksionojnë me energji elektrike.
Një shembull i këtij transformimi është përhapja e automjeteve elektrike, përmes së cilave benzina dhe dizeli po zëvendësohen gradualisht nga energjia elektrike në transport. E njëjta gjë po ndodh edhe me ngrohjen, ku pompat termike po zëvendësojnë sistemet tradicionale që përdorin naftë ose gaz.
Ky transformim ndryshon edhe mënyrën e furnizimit me energji. Ndërsa benzina dhe dizeli transportohen me autocisterna deri te pikat e karburantit, nafta për ngrohje dërgohet po ashtu me autocisterna deri te ndërtesat dhe gazi përmes tubacioneve, energjia elektrike arrin te konsumatorët përmes rrjetit elektroenergjetik. Kështu, elektrifikimi zhvendos një pjesë gjithnjë e më të madhe të furnizimit me energji nga infrastruktura e transportit të karburanteve dhe gazit drejt rrjetit elektroenergjetik, duke rritur rëndësinë e këtij rrjeti për funksionimin e ekonomisë dhe jetës së përditshme.
Industria po elektrifikon gjithashtu procese të ndryshme, ndërsa digjitalizimi, qendrat e të dhënave dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale po e rrisin kërkesën për energji elektrike (IEA, 2025).
Nëse revolucioni industrial u mbështet kryesisht te thëngjilli dhe revolucioni i mobilitetit te nafta, transformimi energjetik i shekullit XXI po mbështetet gjithnjë e më shumë te energjia elektrike.
Më shumë elektricitet nuk do të thotë domosdoshmërisht më shumë energji
Këtu ekziston një dallim i rëndësishëm. Elektrifikimi mund ta rrisë konsumin e energjisë elektrike, ndërkohë që zvogëlon sasinë e energjisë së nevojshme për të njëjtat shërbime, si transporti dhe ngrohja. Kjo ndodh sepse shumë teknologji elektrike e shfrytëzojnë energjinë me efikasitet më të lartë sesa teknologjitë që zëvendësojnë.
Për shembull, një veturë elektrike shndërron një pjesë shumë më të madhe të energjisë së konsumuar në lëvizje sesa një veturë me motor me djegie të brendshme, ku një pjesë e konsiderueshme e energjisë humbet në formë nxehtësie. Ngjashëm, një pompë termike mund të sigurojë deri në katër njësi nxehtësie duke konsumuar vetëm një njësi energjie elektrike, pasi pjesën tjetër të nxehtësisë e merr nga ambienti (IEA, 2022).
Prandaj, rritja e konsumit të energjisë elektrike mund të shoqërohet me një ulje të sasisë së energjisë së nevojshme për të njëjtin nivel shërbimesh, si transporti dhe ngrohja. Prandaj, gjatë analizimit të zhvillimeve në sektorin e energjisë, duhet të dallojmë konsumin total të energjisë nga konsumi i energjisë elektrike.
Burimet e ripërtëritshme ndryshojnë edhe natyrën e varësisë energjetike
Energjia diellore, ajo e erës dhe burimet e tjera të ripërtëritshme sjellin dy përfitime të rëndësishme.
Së pari, ato mundësojnë gjenerimin e energjisë elektrike me emetime shumë të ulëta ose pa emetime të drejtpërdrejta gjatë operimit, duke ndihmuar në reduktimin e ndotjes lokale dhe të emetimeve të gazrave serrë.
Së dyti, ato mund ta zvogëlojnë varësinë nga importi i vazhdueshëm i karburanteve fosile. Një vend që prodhon energjinë elektrike nga dielli, era ose uji nuk ka nevojë të importojë vazhdimisht karburantin e nevojshëm për gjenerimin e kësaj energjie.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se varësia nga jashtë zhduket, por se ndryshon natyra e saj. Për vendet që varen nga importet, karburantet fosile duhet të sigurohen vazhdimisht për të prodhuar energji, ndërsa teknologjitë e burimeve të ripërtëritshme kërkojnë kryesisht investime fillestare në pajisje dhe infrastrukturë, si dhe mirëmbajtje e zëvendësim të komponentëve gjatë përdorimit. Panelet solare, turbinat e erës, bateritë dhe teknologjitë e tjera mbështeten në minerale dhe komponentë, prodhimi ose përpunimi i të cilëve është i përqendruar në një numër relativisht të kufizuar vendesh (IEA, 2024).
Përveç varësisë nga teknologjitë dhe materialet, një dimension tjetër i rëndësishëm është ndërvarësia e sistemeve elektroenergjetike të vendeve të ndryshme. Kjo ndërvarësi nuk është domosdoshmërisht një dobësi. Përkundrazi, lidhjet ndërkufitare dhe bashkëpunimi rajonal mundësojnë shfrytëzimin më efikas të burimeve energjetike dhe rrisin fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik. Ato u mundësojnë vendeve të importojnë energji kur gjenerimi vendor është i pamjaftueshëm dhe të eksportojnë kur kanë tepricë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme me rritjen e gjenerimit nga dielli dhe era, i cili ndryshon në varësi të kushteve atmosferike. Përmes shkëmbimit ndërkufitar, vendet mund të shfrytëzojnë dallimet në gjenerim dhe konsum ndërmjet tyre, duke ulur kostot dhe duke rritur sigurinë e furnizimit (Gugler et al., 2018; Gugler & Haxhimusa, 2019).
Prandaj, tranzicioni energjetik nuk e eliminon ndërvarësinë energjetike, por e ndryshon natyrën e saj. Varësia nga importi i vazhdueshëm i karburanteve fosile mund të zvogëlohet, ndërsa rritet rëndësia e teknologjive, materialeve, rrjeteve ndërkufitare dhe bashkëpunimit me vendet fqinje (Scholten & Bosman, 2016).
Në këtë kuptim, qëllimi nuk është pavarësia absolute energjetike, por një sistem më i sigurt, më i diversifikuar dhe më efikas.
Sfida nuk është vetëm sa elektricitet konsumojmë, por edhe kur e konsumojmë
Rritja e rolit të energjisë elektrike dhe e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme sjell një sfidë tjetër të rëndësishme. Në një sistem tradicional, një pjesë e madhe e gjenerimit të energjisë elektrike mund të përshtatet me konsumin. Kështu, kur konsumi i energjisë elektrike rritet ose bie, termocentralet mund ta përshtatin gjenerimin brenda kufizimeve të tyre teknike.
Me rritjen e energjisë diellore dhe të erës, një pjesë gjithnjë e më e madhe e gjenerimit varet nga kushtet atmosferike. Panelet solare prodhojnë kur ka diell, ndërsa turbinat e erës kur ka erë. Por momenti kur prodhohet energjia nuk përkon domosdoshmërisht me momentin kur konsumatorët kanë më shumë nevojë për të (Hirth, 2013).
Në të njëjtën kohë, elektrifikimi i transportit dhe i ngrohjes mund të krijojë kulme të reja të konsumit. Në ditët e ftohta, për shembull, konsumi i energjisë elektrike mund të rritet nga përdorimi i pompave termike (Love et al., 2017). Në mbrëmje mund të shtohet mbushja e baterive të automjeteve elektrike, pikërisht kur gjenerimi nga panelet solare bie (Muratori, 2018).
Sfida e së ardhmes nuk është vetëm sa energji elektrike mund të gjenerojmë gjatë një viti, por edhe nëse mund ta sigurojmë aty ku nevojitet dhe pikërisht në momentin kur kërkohet. Kjo e rrit kompleksitetin e menaxhimit të sistemit elektroenergjetik dhe të sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike.
Kjo rrit rëndësinë e investimeve në rrjetet elektroenergjetike, kapacitetet rezervë dhe magazinimin e energjisë, si dhe të tregtisë ndërkufitare dhe fleksibilitetit të konsumatorëve (IEA, 2026).
Elektriciteti në qendër të sistemit energjetik të së ardhmes
Historia e zhvillimit ekonomik është, në një masë të madhe, edhe historia e ndryshimit të mënyrës se si njerëzimi prodhon dhe përdor energjinë. Nga druri kaluam te thëngjilli, nga thëngjilli te nafta dhe gazi, ndërsa elektriciteti u bë gradualisht pjesë e pandashme e ekonomisë moderne.
Sot po hyjmë në një fazë tjetër. Transporti, ngrohja, industria dhe ekonomia digjitale po mbështeten gjithnjë e më shumë në elektricitet. Kjo do të thotë se rëndësia e energjisë elektrike dhe e sistemeve elektroenergjetike në ekonominë dhe jetën tonë të përditshme do të vazhdojë të rritet. Por kjo sjell edhe një ndryshim në pyetjen që duhet t'ia bëjmë vetes.
Pyetja nuk është më vetëm nëse mund të prodhojmë mjaftueshëm energji elektrike. Pyetja është nëse mund të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, në sasinë e nevojshme, aty ku dhe kur kërkohet, me çmime të përballueshme dhe duke reduktuar njëkohësisht ndikimin në mjedis.
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të varet jo vetëm nga kapacitetet gjeneruese, por edhe nga aftësia për të zgjeruar dhe modernizuar rrjetin elektroenergjetik, si dhe për të balancuar gjenerimin dhe konsumin. Pikërisht këta faktorë do të përcaktojnë në masë të madhe se si do të duket sistemi energjetik i dekadave të ardhshme.
Gugler, K., Haxhimusa, A., & Liebensteiner, M. (2018). Integration of European Electricity Markets: Evidence from Spot Prices. The Energy Journal, 39, 41–66. https://doi.org/10.5547/01956574.39.SI2.kgug
Gugler, K., & Haxhimusa, A. (2019). Market integration and technology mix: Evidence from the German and French electricity markets. Energy Policy, 126, 30–46. https://doi.org/10.1016/j.enpol.2018.10.014
Hirth, L. (2013). The market value of variable renewables: The effect of solar wind power variability on their relative price. Energy Economics, 38, 218–236. https://doi.org/10.1016/j.eneco.2013.02.004
IEA (2026). Electricity 2026. https://www.iea.org/reports/electricity-2026
IEA (2025). Energy and AI. https://www.iea.org/reports/energy-and-ai
IEA (2024). Global Critical Minerals Outlook 2024. https://www.iea.org/reports/global-critical-minerals-outlook-2024
IPCC (2023). Climate Change 2023: Synthesis Report. https://www.ipcc.ch/report/ar6/syr/
IEA (2022). The Future of Heat Pumps. https://www.iea.org/reports/the-future-of-heat-pumps
Love, J., Smith, A. Z. P., Watson, S., Oikonomou, E., Summerfield, A., Gleeson, C., Biddulph, P., Chiu, L. F., Wingfield, J., Martin, C., Stone, A., & Lowe, R. (2017). The addition of heat pump electricity load profiles to GB electricity demand: Evidence from a heat pump field trial. Applied Energy, 204, 332–342. https://doi.org/10.1016/j.apenergy.2017.07.026
Muratori, M. (2018). Impact of uncoordinated plug-in electric vehicle charging on residential power demand. Nature Energy, 3, 193–201. https://doi.org/10.1038/s41560-017-0074-z
Scholten, D., & Bosman, R. (2016). The geopolitics of renewables; exploring the political implications of renewable energy systems. Technological Forecasting and Social Change, 103, 273–283. https://doi.org/10.1016/j.techfore.2015.10.014
Nuk ka komente ende.