Artikujt  ›  Aktuale

Perspektiva e Institutit INSPIRE: PISA si alarm për një analizë serioze të sistemit arsimor

Aktuale 09 Sep 2026 Instituti INSPIRE
Perspektiva e Institutit INSPIRE: PISA si alarm për një analizë serioze të sistemit arsimor

Rezultatet e fundit të PISA-s duhet të shihen si një alarm serioz për gjendjen e arsimit në Kosovë. Ato nuk duhet të prodhojnë vetëm shqetësim publik, debat politik apo kërkim të fajtorëve, por mbi të gjitha duhet të na shtyjnë të bëjmë një pyetje themelore:

  1. Pse kemi ardhur deri këtu?

Rezultatet e dobëta të nxënësve nuk janë produkt i një faktori të vetëm dhe as i një institucioni të vetëm. Ato janë pasojë e një sistemi kompleks, ku ndërthuren cilësia e mësimdhënies, përgatitja dhe mbështetja e mësimdhënësve, udhëheqja e shkollave, zbatimi i kurrikulës, vlerësimi i nxënësve, menaxhimi institucional, pabarazitë sociale dhe ekonomike, si dhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi në procesin e të nxënit.

Për këtë arsye, Instituti INSPIRE vlerëson se hapi i parë nuk duhet të jetë nxitimi drejt masave të reja, por një analizë e plotë, profesionale dhe e paanshme e shkaqeve të problemit.

Një analizë e tillë duhet të synojë të përgjigjet në tri pyetje të thjeshta, por thelbësore:

  1. Ku është problemi?
  2. Pse është krijuar?
  3. Çfarë duhet ndryshuar për ta përmirësuar gjendjen?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, nuk mjafton vetëm analiza e rezultateve të PISA-s. Nevojitet një vlerësim më i gjerë i sistemit arsimor, duke kombinuar të dhënat për rezultatet e nxënësve me informacionin për shkollat, familjen, mësimdhënësit, komunat, institucionet qendrore dhe faktorët tjerë socialë që ndikojnë në mësim-nxënie.

Një proces i tillë nuk mund dhe nuk duhet të udhëhiqet vetëm nga një institucion apo nga një grup i ngushtë ekspertësh. Prandaj, INSPIRE propozon krijimin e një grupi të përbashkët dhe gjithëpërfshirës të analizës, ku do të përfshiheshin përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, universiteteve, industrisë dhe bizneseve, profesionistëve të arsimit, mësimdhënësve, drejtuesve të shkollave, prindërve, studiuesve dhe ekspertëve (edhe nga diaspora) nga fusha të tjera relevante.

Përfshirja e perspektivave të ndryshme është thelbësore, sepse problemet e arsimit nuk janë vetëm pedagogjike. Ato lidhen edhe me menaxhimin, ekonominë, politikat sociale, zhvillimin institucional, demografinë dhe tregun e punës.

Detyra e këtij grupi nuk duhet të jetë prodhimi i një raporti tjetër të përgjithshëm, por identifikimi i qartë i:

  1. faktorëve kryesorë që kanë çuar në rezultatet aktuale,
  2. lidhjeve ndërmjet këtyre faktorëve,
  3. problemeve që kanë ndikimin më të madh në mësim-nxënie,
  4. prioriteteve që duhet të trajtohen të parat,
  5. dhe masave që janë realiste për kontekstin dhe kapacitetet e Kosovës.

Vetëm pasi të kemi një diagnozë të përbashkët dhe të mbështetur në evidencë, mund të flasim me seriozitet për zgjidhjet.

Kosova nuk ka nevojë për reagime të nxituara pas çdo cikli të PISA-s. Ka nevojë për një proces të organizuar që fillon me të kuptuarit e problemit dhe vazhdon me vendimmarrje të bazuar në të dhëna.

Prandaj, për ne, mesazhi kryesor i rezultateve të fundit është i qartë “PISA duhet të jetë pikënisja e një diagnoze kombëtare të arsimit, jo fundi i debatit”. Nëse duam të ndryshojmë rezultatet, së pari duhet të kuptojmë me saktësi pse i kemi këto rezultate.


Komente (0)

Nuk ka komente ende.

Lini një koment

Komenti juaj do të shfaqet pas miratimit nga administratori.