Inteligjenca Artificiale në Arkitekturë: Mundësi, Sfida dhe Transformimi i Praktikës Bashkëkohore
Inteligjenca Artificiale (AI) po shfaqet si një nga teknologjitë më transformuese të dekadës së fundit, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm industrinë e teknologjisë, por edhe ne fusha tjera, si arkitektura. Nga gjenerimi i ideve konceptuale deri te optimizimi i performancës së ndërtesave dhe menaxhimi i projekteve komplekse, AI po ndryshon mënyrën se si konceptohen, projektohen dhe menaxhohen mjediset e ndërtuara.Arkitektura historikisht ka ecur paralelisht me zhvillimet teknologjike. Kalimi nga vizatimi manual në sistemet CAD dhe më pas në Building Information Modeling (BIM) ka transformuar rrënjësisht praktikën profesionale. Sot, Inteligjenca Artificiale konsiderohet faza më e fundit e këtij transformimi digjital. Sipas Jang, Roh dhe Lee (2025), përdorimi i AI në arkitekturë është rritur ndjeshëm pas vitit 2021, kryesisht si rezultat i zhvillimit të modeleve gjenerative dhe sistemeve të bazuara në gjuhë natyrore.Mjetet si
Midjourney,
DALL-E,
Stable Diffusion ,
ChatGPT etj.,, po u mundësojnë arkitektëve të prodhojnë ide, vizualizime dhe alternativa projektimi brenda minutash, duke reduktuar ndjeshëm kohën e nevojshme për fazat e hershme të projektimit. Kjo ka nxitur një debat të gjerë mbi të ardhmen e profesionit dhe ndikimin që Inteligjenca Artificiale mund të ketë në kreativitetin njerëzor.Megjithatë, ideja e sistemeve inteligjente në arkitekturë nuk është e re. Që në vitin 1970, Nicholas Negroponte, në librin
The Architecture Machine, parashikonte një të ardhme ku kompjuterët do të bashkëpunonin me projektuesit në procesin krijues. Më vonë, William Mitchell argumentoi se procesi i projektimit mund të analizohej dhe mbështetej nga sistemet kompjuterike (Mitchell, 1990), ndërsa Yehuda Kalay theksoi rolin e teknologjive digjitale në transformimin e praktikës arkitektonike (Kalay, 2004). Këto ide teorike kanë shërbyer si bazë për zhvillimet bashkëkohore të Inteligjencës Artificiale në arkitekturë.
Inteligjenca Artificiale si partner në procesin konceptual Një nga fushat ku AI po gjen përdorim të gjerë është dizajni konceptual dhe gjenerativ. Studiuesit As, Pal dhe Basu (2018) demonstruan se rrjetet neuronale mund të analizojnë marrëdhëniet hapësinore brenda projekteve arkitektonike dhe të gjenerojnë kompozime të reja konceptuale. Sipas tyre, sistemet e bazuara në deep learning nuk kufizohen vetëm në analizë, por mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në krijimin e alternativave të reja projektuese.Në të njëjtën linjë, Castro Pena et al. (2021) po ashtu argumentojnë se Inteligjenca Artificiale ka kaluar nga statusi i nje teknologjie eksperimentale në një instrument praktik për gjenerimin dhe optimizimin e zgjidhjeve arkitektonike. Sipas autorëve, potenciali i saj qëndron në aftësinë për te analizuar sasi të mëdha të dhënash dhe për të ofruar alternativa që do të ishin të vështira për t’u identifikuar përmes metodave tradicionale.Ndërkohë, përdorimi i mjeteve text-to-image po fiton popullaritet të madh. Sipas Paananen, Oppenlaender dhe Visuri (2023), këto sisteme ndihmojnë studentët dhe profesionistët e arkitekturës në eksplorimin e ideve të reja dhe stimulimin e kreativitetit. Megjithatë, cilësia e rezultateve varet drejtpërdrejt nga aftësia e përdoruesit për të formuluar kërkesa të sakta dhe të strukturuara.
Përtej vizualizimit dhe dizajnit konceptual
Përfitimet e Inteligjencës Artificiale nuk jane duke u kufizuar vetëm në aspektin vizual. Një nga fushat me potencialin më të madh është optimizimi i performancës së ndërtesave. Albukhari (2025) argumenton se AI mund të përdoret për analizimin e performancës energjetike, përzgjedhjen e materialeve dhe optimizimin e zgjidhjeve strukturore. Në një kohë kur qëndrueshmëria mjedisore është bërë prioritet global, këto kapacitete mund të kontribuojnë ndjeshëm në reduktimin e konsumit të energjisë dhe përmirësimin e efikasitetit të ndërtesave. Një vlerësim i ngjashëm paraqitet edhe nga Li et al. (2025), të cilët argumentojnë se Inteligjenca Artificiale po rrit efikasitetin gjatë gjithë ciklit jetësor të ndërtesës, nga projektimi dhe ndërtimi deri te operimi dhe mirëmbajtja.Po ashtu, Inteligjenca Artificiale po luan një rol kyç në zhvillimin e ndërtesave inteligjente përmes sistemeve të menaxhimit të energjisë, mirëmbajtjes parashikuese dhe automatizimit të funksioneve të banimit. Këto teknologji, sipas Wang et al. (2025) po krijojnë mundësinë që ndërtesat të reagojnë në kohë reale ndaj nevojave të përdoruesve, duke optimizuar konsumin e energjisë dhe duke përmirësuar cilësinë e jetesës. Nje tjeter fushe ku Inteligjencës Artificiale eshte duke gjete aplikim eshte ne BIM (Building Information Modeling), ecila sipas Eastman et al. (2018), ka transformuar mënyrën e menaxhimit të informacionit në industrinë e ndërtimit duke mundësuar integrimin e të dhënave gjatë gjithë ciklit jetësor të ndërtesës. Kjo bazë e pasur informacioni po krijon kushtet ideale për integrimin e Inteligjencës Artificiale. Raporti i Royal Institute of British Architects – RIBA (2024) thekson se AI mund të automatizojë procese si kontrolli i dokumentacionit, verifikimi i standardeve dhe koordinimi ndërmjet disiplinave të ndryshme projektuese. Një studim i Agri, Le dhe Phung (2025) tregon se shumica e profesionistëve të intervistuar tashmë përdorin mjete të Inteligjencës Artificiale në proceset e përditshme të projektimit dhe menaxhimit, duke e konsideruar atë një komponent gjithnjë e më të rëndësishëm të praktikës profesionale.
Roli i arkitektit në epokën e Inteligjencës Artificiale
Pavarësisht ritmit të shpejtë të zhvillimit, literatura shkencore nuk mbështet idenë se Inteligjenca Artificiale do të zëvendësojë arkitektët. Përkundrazi, ajo po transformon mënyrën se si ata punojnë.Sipas Jang et al. (2025), roli i arkitektit po zhvendoset gradualisht nga prodhues i drejtpërdrejtë i zgjidhjeve drejt një koordinatori dhe vlerësuesi të proceseve inteligjente të projektimit. AI mund të analizojë mijëra alternativa në pak sekonda, por përzgjedhja e zgjidhjes më të përshtatshme mbetet një proces që kërkon gjykim profesional, ndjeshmëri kulturore dhe kuptim të kontekstit social.Megjithatë, sfidat mbeten të konsiderueshme. Agri et al. (2025) dhe Albukhari (2025) identifikojnë çështje të rëndësishme që lidhen me autorësinë, përgjegjësinë ligjore, transparencën dhe cilësinë e të dhënave. Një shqetësim tjetër është rreziku i homogjenizimit të arkitekturës. Nëse sistemet inteligjente mbështeten në të njëjtat baza të dhënash, ekziston mundësia që projektet të bëhen më të ngjashme me njëra-tjetrën, duke dobësuar identitetin lokal dhe kulturor.Kjo çështje lidhet me argumentin e Oxman (2008), sipas së cilës teknologjitë digjitale nuk janë thjesht mjete teknike, por faktorë që ndikojnë në mënyrën e të menduarit dhe krijimit arkitektonik. Në të njëjtën linjë, Carpo (2017) argumenton se “epoka e dytë digjitale” po ndryshon marrëdhënien ndërmjet projektuesit dhe teknologjisë, duke krijuar forma të reja bashkëpunimi ndërmjet inteligjencës njerëzore dhe sistemeve kompjuterike.Mgjithate, ajo cka shihet qarte eshte se Inteligjenca Artificiale ende nuk është në gjendje të kuptojë plotësisht dimensionet kulturore, emocionale dhe sociale të arkitekturës. Këto aspekte vazhdojnë të mbeten pjesë e rolit dhe përgjegjësisë së arkitektit. Për këtë arsye, e ardhmja e profesionit nuk duket të jetë një garë midis njeriut dhe teknologjisë, por një partneritet mes tyre. Në këtë kuptim, AI nuk po e zëvendëson arkitektin; ajo po e ndihmon atë të punojë më shpejt dhe më efektivisht, duke zgjeruar mundësitë për projektim dhe inovacion, ndërsa vendimmarrja kritike dhe kuptimi i nevojave njerëzore mbeten në qendër të profesionit.
Referencat
Agri, M. E., Le, A., & Phung, Q. (2025).
Artificial intelligence in architectural design management.
Albukhari, I. N. (2025).
Artificial intelligence technologies in architectural design: Opportunities, applications, and challenges.
As, I., Pal, S., & Basu, P. (2018).
Artificial intelligence in architecture: Generating conceptual design via deep learning. International Journal of Architectural Computing, 16(4), 306–327.
https://doi.org/10.1177/1478077118800982Carpo, M. (2017).
The Second Digital Turn: Design Beyond Intelligence. Cambridge, MA: MIT Press.
Castro Pena, M. L., Carballal, A., Rodríguez-Fernández, N., Santos, I., & Romero, J. (2021).
Artificial intelligence applied to conceptual design: A review of its use in architecture. Automation in Construction, 124, 103550.
https://doi.org/10.1016/j.autcon.2021.103550Eastman, C., Teicholz, P., Sacks, R., & Liston, K. (2018).
BIM Handbook: A Guide to Building Information Modeling for Owners, Designers, Engineers, Contractors, and Facility Managers (3rd ed.).
Hoboken, NJ: Wiley.Kalay, Y. E. (2004).
Architecture's New Media: Principles, Theories and Methods of Computer-Aided Design. Cambridge, MA: MIT Press.
Li, Y., Chen, H., Yu, P., & Yang, L. (2025). L. A Review of Artificial Intelligence in Enhancing Architectural Design Efficiency.
Applied Sciences,
15(3), 1476.
https://doi.org/10.3390/app15031476Mitchell, W. J. (1990).
The Logic of Architecture: Design, Computation, and Cognition. Cambridge, MA: MIT Press.Negroponte, N. (1970).
The Architecture Machine. Cambridge, MA: MIT Press.
Oxman, R. (2008). Digital architecture as a challenge for design pedagogy: Theory, knowledge, models and medium.
Design Studies, 29(2), 99–120.
https://doi.org/10.1016/j.destud.2007.12.003Royal Institute of British Architects. (2024).
Artificial Intelligence and Architecture Report. London: RIBA.
Jang, S., Roh, H., & Lee, G. (2025).
Generative artificial intelligence in architectural design: A systematic review.
Wang, C., et al. (2025). Innovative Applications of AI in the Residential Sector. BEKE BrainLink: Tian Xue