Ai nuk mori asgjë si dhuratë. Sot, 40-vjeçari Adhurim Haxhimusa është një emër i rëndësishëm në hulumtimin shkencor në Graubünden të Zvicrës, duke u fokusuar në sektorin e energjisë dhe analizën e të dhënave ekonomike.
Adhurim Haxhimusa nuk e kishte imagjinuar kurrë në rininë e tij se një ditë do të ishte hulumtues shkencor në Zvicër. I rritur në një qytet shqiptar gjatë luftës së Kosovës, rrugëtimi i tij ishte gjithçka tjetër përveçse i lehtë.
Edukimi nën hije dhe sakrifica
Fëmijëria e tij u shënua nga regjimi serb, i cili ndalonte arsimin në gjuhën shqipe. Haxhimusa kujton se shkolla e tij ishte një sistem paralel që zhvillohej në shtëpi private. Këto përvoja, ku familjes i duhej të punonte fort për të mbijetuar, kanë skalitur etikën e tij të sotme të punës: "Unë e marr punën time shumë seriozisht dhe përpiqem gjithmonë të jap më të mirën".
Përpara se të niste studimet në Universitetin e Ekonomisë në Vjenë (WU Vienna), atij iu desh të mësonte gjuhën gjermane nga e para. Pa asnjë mbështetje financiare, ai i financoi studimet vetë duke punuar si pastrues rrugësh, kamerier, kopshtar dhe punëtor ndërtimi. "Një herë kisha vetëm shtatë euro në llogari dhe nuk mund t'i tërhiqja sepse limiti ishte dhjetë," kujton ai, duke vënë në dukje se suksesi i tij bazohet në realitetin e ashpër.
Një ekspert i të dhënave të energjisë dhe ekonomisë
Sot, Haxhimusa vepron në Ceter for Economic Policy Research në Univerzitetin e Shkencave të Aplikuara të Grizonit (FH Graubünden). Pasioni i tij për numrat tani shërben për të analizuar tregun e energjisë në Zvicër. Ai shqyrton se si zhvillohen çmimet e energjisë elektrike dhe si ndikojnë faktorë të ndryshëm (psh., temperatura) në kërkesën për energji elektrike. Një kërkim shkencor i tillë ndihmon furnizuesit e energjisë të marrin vendime më të mira që lidhen sidomos me investimet në zgjerimin apo modernizimin e rrjetit me qëllim uljen e kostove për konsumatorët fundorë.
Përveç energjisë, ai ka udhëhequr krijimin e "Swiss Regional Economic Dashboard" (www.swiss-reco.ch), një platformë që ofron të dhëna të përditësuara për rritjen ekonomike dhe tregun e punës në nivel rajonal. Ky mjet u vjen në ndihmë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në gjithë Zvicrën, madje edhe institucioneve si Banka Kantonale e Graubünden apo ajo e Cyrihut, për të kuptuar trendet më të fundit dhe për të fituar përparësi konkurruese.
Midis hulumtimeve shkencore dhe familjes
Përveç hulumtimeve shkencorë, Haxhimusa është profesor i Statistikës dhe Ekonomisë në FH Graubünden. Pavarësisht angazhimeve të shumta, ai është baba i katër fëmijëve dhe i integruar plotësisht në jetën e tyre. Familja e tij, e cila jeton në Bad Ragaz, është vendi ku ai "shkëputet" nga presioni i punës, duke kaluar kohën e lirë në fusha futbolli ose në shëtitje malore.
Për Adhurim Haxhimusa, shkenca është më shumë se thjesht numrat "Hulumtimi shkencorë është dera që na mundëson të kuptojmë më mirë shoqërinë dhe tranzicionin energjetik".
Profili i Adhurim Haxhimusa u publikua nga Südostschweiz. Artikullin e plotë mund ta lexoni në: https://adhurim-haxhimusa.com/wp-content/uploads/2026/04/2026-04-08_Buendner_Zeitung_Seite_5.pdf
Nuk ka komente ende.