Në lumenjtë e ftohtë malorë, burimet karstike, shpellat dhe pyjet e larta të Kosovës jetojnë disa nga organizmat më të veçantë të vendit: lloje endemike, të cilat nuk gjenden askund tjetër në botë ose kanë shpërndarje shumë të kufizuar në një rajon të caktuar. Ato janë të vogla, shpesh të padukshme për syrin e publikut, por me rëndësi të jashtëzakonshme për shkencën, ekologjinë dhe trashëgiminë natyrore të Kosovës.
Fauna e Kosovës ende nuk është hulumtuar plotësisht. Strategjia dhe Plani i Veprimit për Biodiversitetin ka theksuar se vendi karakterizohet nga diversitet i lartë biologjik, por se inventarizimi i faunës mbetet i papërfunduar. Në këtë dokument përmenden rreth 250 lloje kurrizorësh, 200 lloje fluturash dhe rreth 500 taksone të makrozoobentosit. Zonat më të pasura me faunë janë masivet malore, veçanërisht Bjeshkët e Nemuna dhe Malet e Sharrit.
Në vitet e fundit, njohuritë për faunën endemike të Kosovës janë shtuar ndjeshëm. Publikimet shkencore dhe raportet e institucioneve relevante (si: Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës), e trajton këtë grup si komponent të rëndësishëm të biodiversitetit, me vlerë të lartë shkencore dhe konservuese. Të dhënat tregojnë se këto lloje janë të lidhura me habitate specifike siç janë ekosistemet malore, lumenjtë dhe përrenjtë e ftohtë, burimet karstike, shpellat dhe pyjet me vlerë të lartë natyrore.
Insektet ujore: bioindikatorët e lumenjve të pastër
Një pjesë e madhe e endemizmit të faunës së Kosovës lidhet me insektet ujore, veçanërisht me rendin Trichoptera. Këto insekte janë tregues të rëndësishëm të cilësisë së ujërave, sepse fazat e tyre larvore jetojnë në ujë dhe reagojnë shpejt ndaj ndotjes, ndryshimeve në rrjedhë dhe degradimit të habitatit.
Ndër llojet më të rëndësishme përmendet Drusus dardanicus Ibrahimi, Kučinić & Vitecek, 2015, një lloj i përshkruar nga Kosova dhe i lidhur me ekosistemet e ujërave të rrjedhshëm. Studimi ku është përshkruar ky lloj thekson se zbulimi i tij, bashkë me lloje të tjera të rralla e mikroendemike, është dëshmi e rëndësisë së biodiversitetit të ujërave të ëmbla në Kosovë. Njëkohësisht, ai paralajmëron se këto specie përballen me presione antropogjene në rritje.
Në Bjeshkët e Nemuna është përshkruar edhe Rhyacophila siparantum Ibrahimi, Bilalli & Kučinić, 2021, një lloj që konsiderohet mikroendemik i këtij masivi malor. Ai është gjetur pranë burimeve të vogla reokrene në zona pyjore, duke dëshmuar se edhe burimet e vogla malore mund të kenë vlerë të madhe për biodiversitetin. Një studim i mëvonshëm për këtë lloj thekson se ai është endemik për Kosovën dhe i lidhur me zonën burimore të përroit të Bogës në Rugovë, brenda Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Po ashtu, Potamophylax coronavirus Ibrahimi, Bilalli & Vitecek, 2021, i përshkruar nga Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, është një tjetër shembull i llojeve me shpërndarje shumë të kufizuar. Autorët e studimit kanë theksuar se Trichoptera janë shumë të ndjeshme ndaj ndotjes së ujit dhe dëmtimit të habitatit, ndërsa ky lloj mund të rrezikohet seriozisht nga ndërhyrjet në rrjedhat ujore.
Në Malet e Sharrit është përshkruar Potamophylax humoinsapiens Ibrahimi & Bilalli, 2023, i konsideruar mikroendemik i Sharrit dhe një nga llojet që ndodh vetëm në pjesën kosovare të këtij masivi malor. Studimi e paraqet Sharrin si një nga pikat më të rëndësishme të biodiversitetit tokësor dhe ujor në Ballkan.
Ndërsa në pellgun e lumit Ibër, Potamophylax kosovaensis Ibrahimi & Bilalli, 2024, është përshkruar nga degë të lumit në zonën e Kopaonikut. Lloji është i lidhur me zona burimore, çka tregon ndjeshmëri të lartë ndaj ndotjes dhe degradimit të habitatit.
Një zbulim tjetër i rëndësishëm është Tinodes lumbardhi Ibrahimi, Bilalli & Musliu, 2025, i përshkruar nga Lumbardhi i Deçanit në Bjeshkët e Nemuna. Studimi shkencor thekson se lloji është gjetur në një popullatë të vogël dhe të izoluar, në një zonë të ndikuar nga veprimtaritë njerëzore, veçanërisht nga ndërtimi i hidrocentraleve.
Merimangat, molusqet dhe fauna e shpellave: pjesa më pak e njohur e biodiversitetit
Përveç insekteve ujore, në Kosovë janë të njohura edhe lloje endemike ose me shpërndarje shumë të kufizuar nga grupe të tjera të faunës, si merimangat, molusqet, shumëkëmbëshat, kërmijtë ujorë dhe organizmat e shpellave. Nga grupi i merimangave, ndër llojet endemike të përshkruara nga Kosova janë: Brachythele kosovarica Geci & Sherwood, 2025, Eratigena mirusha Geci, Naumova & Ibrahimi, 2025, Harpactea dardanica Geci & Zamani, 2025 dhe Nemesia dukagjinica Geci & Sherwood, 2025.
Në listën e llojeve endemike dhe subendemike me rëndësi konservuese përfshihen edhe molusqe dhe organizma të lidhur me burime karstike e shpella, si Belgrandiella bumasta Schütt, 1960, Bythinella istoka Glöer & Pešić, 2014, Terranigra kosovica Radoman, 1978, Monachoides kosovoensis de Winter & Maassen, 1992, Plagigeyeria gladilini Georgiev, 2010, Saxurinator schlickumi Schütt, 1960, Brachydesmus jalzici Ćurčić & Makarov, 1997, Polydesmus undeviginti Verhoeff, 1898 dhe Alpioniscus metohicus Pljakić, 1977. Disa prej tyre janë kategorizuar në Librin e Kuq si VU, pra të cenueshme, ose DD, pra me të dhëna të pamjaftueshme.
Pse janë të rrezikuara?
Këto lloje rrezikohen jo sepse u mungon rëndësia shkencore, por sepse janë pak të njohura dhe shpesh mbeten jashtë vëmendjes publike e institucionale. Shumica e tyre janë organizma të vegjël, pa “karizmën” e gjitarëve të mëdhenj, por humbja e tyre do të ishte e pakthyeshme. Një lloj endemik, kur zhduket nga habitati i tij i vetëm, zhduket nga e gjithë bota.
Sipas hulumtimeve të deritanishme për llojet endemike të faunës në Kosovë, këto specie janë të ndjeshme ndaj fragmentimit të habitatit, shpyllëzimit, ndotjes së ujërave, degradimit të ekosistemeve natyrore dhe ndikimeve klimatike. Studimet theksojnë se boshllëqet në të dhëna janë ende të mëdha, sidomos për invertebrorët dhe organizmat e lidhur me habitatet ujore e nëntokësore.
Në praktikë, kërcënimet kryesore janë ndërtimi i hidrocentraleve në lumenj malorë, devijimi i rrjedhave ujore, ndotja urbane dhe bujqësore, prerja e pyjeve, degradimi i zonave burimore, mungesa e monitorimit afatgjatë, si dhe zhvillimet infrastrukturore pa vlerësim të mirëfilltë ekologjik. Për llojet që jetojnë vetëm në një burim, një përrua apo një shpellë të caktuar, edhe një ndërhyrje e vogël mund të jetë fatale.
Një rast ilustrues dhe veçanërisht shqetësues, edhe pse nuk bëhet fjalë për lloj endemik, është trofta e mermertë, Salmo marmoratus. Të dhënat historike tregojnë se ky lloj, i klasifikuar si i rrezikuar në Kosovë, është raportuar nga rrjedha e epërme e lumit Mirusha, që përfaqëson edhe të vetmin lokalitet të njohur të tij në vend. Megjithatë, gjatë hulumtimeve të fundit ekologjike në lumin Mirusha, prania e këtij lloji nuk është konstatuar. Kjo mungesë ngre shqetësimin se Salmo marmoratus mund të jetë zhdukur nga ky lumë, me gjasë si pasojë e fragmentimit të habitatit nga diga e Mirushës dhe ndikimit të ujërave të zeza të patrajtuara. Fragmentimi i rrjedhës duket se ka ndërprerë lidhjen midis popullatës së mundshme në rrjedhën e epërme të Mirushës dhe asaj në pellgun e Drinit të Bardhë, duke e bërë edhe më të mundshme zhdukjen lokale të këtij lloji. Rasti i këtij lloji tregon se humbja e biodiversitetit nuk është një rrezik i largët, por një proces që tashmë është duke ndodhur në lumenjtë e Kosovës.
Çfarë thotë Libri i Kuq?
Libri i Kuq i Faunës së Kosovës është një nga dokumentet më të rëndësishme për vlerësimin e gjendjes së llojeve të rrezikuara në vend. AMMK e liston Librin e Kuq të Faunës si dokument zyrtar në fushën e biodiversitetit. Në vlerësimin preliminar, disa lloje endemike ose me rëndësi të veçantë janë të kategorizuara si CR (Critically Endangered – në rrezik kritik), VU (Vulnerable – i cenueshëm), NT (Near Threatened – gati i kërcënuar) ose DD (Data Deficient – me të dhëna të pamjaftueshme). Për shembull, Drusus dardanicus, Drusus sharrensis dhe Limnephilus petri janë të shënuara si CR sipas Librit të Kuq, ndërsa disa lloje të molusqeve, koleopterëve dhe organizmave të shpellave janë të shënuara si VU.
Kjo tregon se konservimi nuk duhet të fokusohet vetëm te llojet e mëdha dhe të njohura, por edhe te organizmat e vegjël që mbajnë gjallë ekuilibrin ekologjik të lumenjve, burimeve, shpellave dhe pyjeve.
Çfarë duhet bërë?
Mbrojtja e faunës endemike të Kosovës kërkon veprime konkrete, jo vetëm deklarime institucionale. Së pari, duhet të krijohet një program kombëtar për monitorimin e llojeve endemike, me fokus në lumenjtë malorë, burimet karstike, shpellat, zonat alpine dhe pyjet e vjetra. Së dyti, çdo projekt që prek rrjedhat ujore, veçanërisht hidrocentralet, duhet të vlerësohet me kujdes të lartë biologjik, duke përfshirë studime për makroinvertebrorët dhe faunën endemike.
Bazuar në të dhënat dhe hulumtimet ekzistuese, rekomandohet monitorimi i llojeve endemike, përditësimi periodik i listave, zgjerimi dhe menaxhimi efektiv i zonave të mbrojtura, bashkëpunimi më i ngushtë ndërinstitucional dhe akademik, edukimi publik dhe integrimi i të dhënave në politikat kombëtare të ruajtjes së natyrës.
Në mënyrë të veçantë, rekomandohet që:
Përfundim
Fauna endemike e Kosovës është një pasuri e rrallë natyrore, por edhe një përgjegjësi kombëtare. Lloje si Drusus dardanicus, Rhyacophila siparantum, Potamophylax coronavirus, Potamophylax humoinsapiens, Potamophylax kosovaensis, Tinodes lumbardhi dhe Eratigena mirusha etj. tregojnë se Kosova është ende një territor me potencial të madh shkencor dhe me biodiversitet të nënvlerësuar.
Por këto lloje nuk mund të mbrohen vetëm pasi të rrezikohen rëndë. Ato kërkojnë veprim tani: hulumtim, monitorim, mbrojtje të habitateve dhe politika mjedisore që e trajtojnë biodiversitetin jo si pengesë për zhvillim, por si themel të zhvillimit të qëndrueshëm. Ruajtja e tyre është ruajtje e identitetit natyror të Kosovës.