Autor: Dr. sc. Astrit Bilalli & Dr. sc. Halil Ibrahimi
Një lumë nuk është vetëm një sasi uji që rrjedh nga burimi drejt grykëderdhjes. Ai është një sistem i ndërlidhur ekologjik, në të cilin rrjedha, sedimentet, oksigjeni, temperatura, peshqit, insektet ujore dhe vegjetacioni bregor funksionojnë si pjesë të së njëjtës tërësi. Kur lumi ndërpritet nga një digë, pendë ujëmarrëse ose pengesë tjetër artificiale, nuk ndryshon vetëm sasia e ujit: ndryshon mënyra se si funksionon i gjithë ekosistemi.
Hulumtimet e kryera në Parkun Kombëtar “Sharri”, në Lumin Mirusha dhe në Lumbardhin e Deçanit tregojnë një model të ngjashëm. Në rrjedhat e sipërme, larg ndërhyrjeve të mëdha, ruhen ujërat e ftohta dhe të oksigjenuara, llojet e ndjeshme dhe komunitetet biologjike të pasura. Pranë digave dhe pikave të marrjes së ujit, diversiteti biologjik zvogëlohet, llojet e ndjeshme zhduken ose bëhen shumë të rralla, ndërsa ekosistemi dominohet nga organizma më tolerantë ndaj ndotjes dhe degradimit të habitateve (Ibrahimi et al., 2024a; 2024b; 2025b).
Figura 1. Zonat lumore të trajtuara në Kosovë: Pellgu i Lepencit në Parkun Kombëtar “Sharri”, Lumi Mirusha dhe Lumbardhi i Deçanit.
Kur vlerësimi bëhet pa të dhëna për jetën në lumë
Ndërtimi i një hidrocentrali mund të arsyetohet me prodhimin e energjisë, por një vlerësim serioz mjedisor nuk mund të kufizohet te kapaciteti teknik, sasia e ujit dhe infrastruktura. Para ndërhyrjes duhet të dihet se cilat lloje jetojnë në lumë, cilat prej tyre janë endemike ose të rrezikuara, ku shumohen peshqit, si transportohen sedimentet dhe sa ujë duhet të mbetet në shtrat për të ruajtur funksionimin ekologjik.
Raporti për hidrocentralet në Parkun Kombëtar “Sharri” konstaton se dy raportet e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, të hartuara në vitet 2013 dhe 2014, nuk i përmbushnin kërkesat themelore ligjore dhe shkencore. Në to mungonin të dhënat konkrete për biodiversitetin e ujërave të ëmbla në zonën e projekteve. Si rezultat, dëmtimi i llojeve ujore dhe ndryshimet në habitatet e tyre kishin mbetur pa monitorim të përshtatshëm (Ibrahimi et al., 2024a).
Në të njëjtin raport theksohet se katër pikat e ujëmarrjes të hidrocentraleve kishin ndryshuar rëndë habitatet ujore. Rrugët për peshqit në dy diga ishin jofunksionale, pasi ishin ndërtuar jashtë pjesës ku rridhte uji, ndërsa në dy diga të tjera mungonin plotësisht. Ndërprerja e komunikimit ndërmjet degëve dhe rrjedhës kryesore të Lepencit ndikonte në shpërndarjen dhe abondacen e llojeve të peshqve (Ibrahimi et al., 2024a).
Dokumentacioni i analizuar nuk identifikonte qartë as llojet e peshqve që do të prekeshin. Njëri nga raportet pranonte mundësinë e dëmtimit të përhershëm të faunës së peshqve, por përmendte në mënyrë të paqartë “kompensimin” e dëmit, pa treguar cilat lloje do të dëmtoheshin dhe si do të realizohej kompensimi. Masat për mbrojtjen e florës dhe faunës paraqiteshin pa të dhëna konkrete dhe pa masa të veçanta për llojet e pranishme në zonën e projektit (Ibrahimi et al., 2024a).
Edhe në rastin e Mirushës, shqyrtimi i dokumenteve tregoi mangësi të konsiderueshme. Plani Hapësinor për Monumentin e Natyrës “Ujëvarat e Mirushës” dhe Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis për Digën e Panorcit nuk ofronin të dhëna për diversitetin e faunës ujore. Raporti përmend se shpimet e puseve, marrja e pakontrolluar e ujit dhe ndërtimi i një dige në zonën burimore të Panorcit ishin realizuar pa planifikim, studim ose leje të përshtatshme, duke ndikuar negativisht në llojet e ujërave të ëmbla dhe në popullatat e peshqve (Ibrahimi et al., 2024b).
Në këtë kuptim, shprehja “diga pa kritere” u referohet ndërhyrjeve të planifikuara ose të miratuara pa inventarizim të mjaftueshëm biologjik, pa të dhëna referente, pa analizë të ndikimeve kumulative dhe pa masa funksionale për ruajtjen e vazhdimësisë së lumit.
Lumi nuk është gyp uji
Hidrocentralet e vogla, veçanërisht ato të tipit me derivacion, shpesh marrin ujin nga shtrati dhe e transportojnë përmes tubacioneve deri te turbinat, duke lënë segmente të lumit me rrjedhë të reduktuar. Digat dhe pendat ujëmarrëse ndërpresin transportin e sedimentit, ndryshojnë formën e shtratit dhe pengojnë vazhdimësinë fizike, kimike dhe biologjike të lumit.
Raporti për Parkun Kombëtar “Sharri” thekson se hidrocentralet e tipit me rrjedhje të lirë mund të shkaktojnë humbje të lidhshmërisë së lumit, dëmtime të peshqve, degradim të habitateve, ndërprerje të transportit të sedimentit, ndryshim të niveleve të ujërave nëntokësore dhe favorizim të llojeve invazive. Madje, edhe kur marrja e ujit nuk është aktive, vetë prania e digës mund të ndryshojë dinamikën e sedimentit dhe morfologjinë e shtratit (Ibrahimi et al., 2024a).
Pasojat kryesore përfshijnë ndërprerjen e migrimit dhe riprodhimit të peshqve, izolimin e popullatave, humbjen e habitateve ujore me rrjedhë të shpejtë, ndryshimin e temperaturës dhe oksigjenimit, grumbullimin ose mungesën e sedimentit dhe dobësimin e aftësisë natyrore të lumit për vetëpastrim.
Këto ndikime rrallë veprojnë të izoluara. Ato kombinohen me ujërat e zeza të patrajtuara, mbeturinat, marrjen e ujit për ujitje, bujqësinë, dëmtimin e brigjeve dhe ndërtimet pa plan. Në këto raste, diga nuk vepron vetëm si pengesë fizike, por edhe si zonë ku grumbullohen ndotësit dhe lëndët ushqyese (Ibrahimi et al., 2024b; Ibrahimi et al., 2025b).
Figura 2. Skemë krahasuese ndërmjet rrjedhës natyrore të lumit dhe një segmenti të ndërprerë nga diga dhe ujëmarrja për hidrocentral.
Sharri: llojet e rralla mbesin mbi pikat e ujëmarrjes
Në Parkun Kombëtar “Sharri”, krahasimet ndërmjet segmenteve mbi dhe nën pikat e ujëmarrjes treguan varfërim të komuniteteve të makroinvertebrorëve në të katër lokalitetet e studiuara. Indikatorët biologjikë shënuan rënie të cilësisë së ujit nga statusi “i lartë” mbi pikat e ujëmarrjes në status “të mirë” poshtë tyre. Këto ndryshime u lidhën me regjimin e ndryshuar të ujit dhe degradimin e habitatit ujor (Ibrahimi et al., 2024a).
Lloje të mbrojtura dhe endemike, si Drusus sharrensis dhe Potamophylax humoinsapiens, u regjistruan kryesisht mbi pikat e ujëmarrjes, ndërsa poshtë tyre numri i individëve ishte dukshëm më i ulët. Drusus sharrensis është lloj endemik i Sharrit dhe është klasifikuar si i rrezikuar në mënyrë kritike, ndërsa Potamophylax humoinsapiens është lloj me shtrirje shumë të kufizuar, i përshkruar nga Malet e Sharrit (Ibrahimi et al., 2023; Ibrahimi et al., 2024a).
Modeli ishte i ngjashëm edhe te peshqit. Salmo farioides u gjet mbi pikat e ujëmarrjes, por nuk u regjistrua poshtë tyre, pavarësisht vizitave të përsëritura në terren. Sipas raportit, pikat e ujëmarrjes kishin ndërprerë komunikimin ndërmjet degëve dhe rrjedhës kryesore të Lepencit, duke zvogëluar zonën e shpërndarjes së këtij lloji (Ibrahimi et al., 2024a).
Ndikimet nuk kufizohen vetëm te trofta. Ndryshimet në regjimin e ujit dhe në habitatet e degëve mund të ndikojnë edhe në shpërndarjen e llojeve vendase të rrjedhës kryesore, si Barbus cf. macedonicus, Oxynoemacheilus bureschi dhe Squalius vardarensis (Ibrahimi et al., 2024a).
Figura 3. Rrjedha ujore mbi hidrocentrale në Parkun Kombëtar “Sharr” – Kosovë.
Mirusha: diga që ndërpret lumin dhe grumbullon ndotjen
Në Lumin Mirusha ndodhen dy diga kryesore: Diga e Mirushës, pranë qytetit të Malishevës, dhe Diga e Panorcit, në një degë të lumit. Studimi njëvjeçar tregoi se të dyja kanë ndikim negativ në biodiversitet dhe në kushtet e përgjithshme ekologjike të lumit (Ibrahimi et al., 2024b).
Diga e Mirushës ka fragmentuar lumin dhe ka ndërprerë rrjedhën e tij natyrore. Ajo vepron si pengesë fizike që kufizon migrimin dhe komunikimin e peshqve ndërmjet rrjedhës së sipërme dhe Drinit të Bardhë. Në të njëjtën kohë, rezervuari ka shërbyer si zonë grumbullimi për ujërat e zeza dhe ndotësit, duke krijuar kushte të pafavorshme për florën dhe faunën ujore (Ibrahimi et al., 2024b).
Hulumtimi evidenton gjithashtu degradimin e habitateve të insekteve ujore. Të paktën tetë lloje ishin prekur rëndë, ndërsa ndryshimet në rrjedhën dhe cilësinë e ujit kishin shkaktuar rënie të popullatave të tyre. Humbja e këtyre organizmave ndikon në tërë zinxhirin ushqimor të lumit, pasi makroinvertebrorët përbëjnë ushqim për peshqit dhe për organizma të tjerë ujorë (Ibrahimi et al., 2024b).
Rezultatet biologjike e konfirmojnë degradimin. Në bazë të makroinvertebrorëve, lokalitetet pranë Digës së Mirushës dhe Digës së Panorcit u klasifikuan me status ekologjik “të keq”, ndërsa segmenti pas Digës së Mirushës u klasifikua me status “të dobët”. Vetëm disa lokalitete në rrjedhën e sipërme kishin status të mirë ose të lartë (Ibrahimi et al., 2024b). Edhe vlerësimi në bazë të peshqve tregoi cilësi të dobët në katër stacione pranë digave. Në dy lokalitete nuk u regjistrua asnjë peshk, ndërsa përmirësim i pjesshëm u vërejt vetëm në segmentet më të ulëta, pranë derdhjes në Drinin e Bardhë (Ibrahimi et al., 2024b).
Një nga rastet më shqetësuese lidhet me Salmo marmoratus. Të dhënat historike tregojnë se ky lloj, i klasifikuar si i rrezikuar në Kosovë, ka qenë i pranishëm në rrjedhën e epërme të Mirushës. Gjatë hulumtimit nuk u gjet në asnjë stacion. Fragmentimi i shkaktuar nga diga, i kombinuar me ujërat e zeza të patrajtuara, mund ta ketë shkëputur popullatën e sipërme nga ajo e pellgut të Drinit të Bardhë dhe të ketë shkaktuar zhdukjen e tij lokale (Ibrahimi et al., 2024b).
Figura 4. Diga mbi lumin Mirusha.
Lumbardhi i Deçanit: një lumë me dy realitete ekologjike
Hulumtimi shumësezonal në Lumbardhin e Deçanit paraqet një shembull të qartë të fragmentimit ekologjik të lumit. Në rrjedhën e epërme, stacionet ruajtën status të lartë ose të mirë, me pasuri të lartë të insekteve të ndjeshme të grupeve Ephemeroptera, Plecoptera dhe Trichoptera. Në zonën e Digës së Kotradiqit, lokalitetet e hulumtuara u klasifikuan vazhdimisht me status të dobët gjatë pranverës, verës dhe vjeshtës (Ibrahimi et al., 2025b).
Në këto stacione u regjistrua humbje pothuajse e plotë e taksoneve të ndjeshme, vlera shumë të ulëta të indeksave biologjikë dhe dominim i organizmave tolerantë ndaj ndotjes. Përkeqësimi ishte i qëndrueshëm në të gjitha stinët, duke treguar se nuk bëhej fjalë për një ndryshim të përkohshëm sezonal, por për presion kronik të lidhur me digën, rrjedhën e ndryshuar, ndotjen dhe degradimin e habitatit (Ibrahimi et al., 2025b).
Diga ka fragmentuar vazhdimësinë e lumit dhe ka krijuar një ndarje ndërmjet rrjedhës së sipërme, ku ruhen habitatet e troftës, dhe segmenteve të degraduara më poshtë. Zona e rezervuarit vepron si hapësirë mbajtëse ku grumbullohen ujërat e zeza dhe lëndët ushqyese. Kjo sjell ulje të oksigjenit dhe krijon kushte të favorshme kryesisht për llojet më tolerante të peshqve (Ibrahimi et al., 2025b).
Në zonën pranë digës, fauna e peshqve ndryshon nga komunitete të ndjeshme, të lidhura me ujërat e ftohta dhe rrjedhën e shpejtë, në komunitete të varfra, të dominuara nga ciprinidet tolerante. Diga ka kanale të tejmbushjes, por jo kalime të mirëfillta funksionale për peshqit. Pjerrësia dhe struktura e tyre e bëjnë migrimin në rrjedhën e sipërme praktikisht të pamundur (Ibrahimi et al., 2025b).
Vlerësimet shtesë rreth hidrocentraleve përgjatë Lumbardhit treguan se popullatat e Salmo farioides ishin zvogëluar rëndë, me vetëm disa individë të izoluar në mikrohabitate të fragmentuara. Në shumicën e lokaliteteve, shkallët për peshqit ishin jofunksionale, të mirëmbajtura dobët ose teknikisht të papërshtatshme për migrim (Ibrahimi et al., 2025b).
Rëndësia e Lumbardhit të Deçanit nuk kufizohet vetëm te peshqit. Gjatë hulumtimit u regjistruan 67 lloje insektesh ujore, përfshirë gjashtë lloje endemike të Kosovës, katër lloje endemike të Ballkanit dhe disa lloje të kategorizuara si të rrezikuara në mënyrë kritike (Ibrahimi et al., 2025b).
Ndër llojet më të rëndësishme është Tinodes lumbardhi, një lloj i ri për shkencën, i përshkruar në vitin 2025 nga një degë e Lumbardhit të Deçanit. Lloji u gjet në një popullatë të vogël dhe të izoluar në një zonë të prekur nga aktivitete antropogjene, veçanërisht nga hidrocentralet (Ibrahimi et al., 2025a).
Punimi shkencor për Tinodes lumbardhi raporton se rrjedha kryesore e Lumbardhit të Deçanit ishte e degraduar kryesisht si pasojë e ndërtimit dhe funksionimit të hidrocentraleve. Komunitetet e insekteve ujore ishin të varfëruara, ndërsa në disa segmente të prekura nga hidrocentralet mungonin peshqit. Llojet e rralla mbijetonin kryesisht në pjesë të izoluara të degëve anësore (Ibrahimi et al., 2025a).
Këto lloje nuk përfaqësojnë vetëm emra në një listë taksonomike. Shumë prej tyre kanë shtrirje të kufizuar dhe kërkojnë ujë të ftohtë, rrjedhë të qëndrueshme, oksigjen të lartë dhe shtrat të paprekur. Humbja e një burimi ose e një dege të vogël mund të nënkuptojë zhdukjen e një popullate të tërë dhe, në disa raste, të një pjese të konsiderueshme të shpërndarjes së përgjithshme të llojit.
Figura 5. Tinodes lumbardhi dhe habitati ku është gjetur.
Rrugët e peshqve nuk mjaftojnë vetëm në letër
Projektet e hidrocentraleve shpesh parashohin ndërtimin e shkallëve ose rrugëve për peshqit. Megjithatë, një strukturë e tillë ka vlerë vetëm nëse lidhet me rrjedhën aktive, ka pjerrësi dhe shpejtësi të përshtatshme, funksionon gjatë stinëve të ndryshme dhe mund të përdoret nga llojet që jetojnë realisht në atë lumë.
Në Parkun Kombëtar “Sharri”, dy rrugë për peshqit ishin jofunksionale, sepse ishin ndërtuar jashtë zonës së rrjedhjes së ujit, ndërsa në dy diga të tjera ato mungonin (Ibrahimi et al., 2024a). Në Lumbardhin e Deçanit, strukturat ekzistuese ishin të papërshtatshme ose të paafta për të siguruar migrim efektiv (Ibrahimi et al., 2025b).
Një masë që figuron në dokumentacion, por nuk funksionon në terren, nuk mund të konsiderohet masë e mirëfilltë zbutëse.
Figura 6. Gjendja në zonën e pendave ujëmarrëse (Sharr)
Çfarë kërkohet për lumenjtë e Kosovës?
Gjetjet nga këto studime tregojnë se projektet e reja nuk duhet të vlerësohen veçmas, sikur secili hidrocentral të ishte ndërhyrja e vetme në lumë. Duhet të analizohet efekti kumulativ i të gjitha digave, ujëmarrjeve, shkarkimeve të ujërave të zeza, ndërtimeve dhe shfrytëzimeve të ujit në tërë pellgun.
Në zonat e mbrojtura dhe habitatet ku jetojnë lloje endemike nevojitet inventarizim biologjik shumësezonal para çdo vendimmarrjeje. Rrjedha minimale ekologjike duhet të përcaktohet mbi bazën e nevojave biologjike të lumit dhe të monitorohet vazhdimisht. Rrugët e peshqve duhet të projektohen sipas llojeve vendase dhe të testohen në kushte reale.
Për digat e vjetra, jofunksionale ose me përfitim të kufizuar dhe ndikim të madh ekologjik duhet të shqyrtohet mundësia e largimit të tyre. Raporti për Mirushën vlerëson se heqja e digave mund të rivendosë rrjedhën natyrore, të përmirësojë habitatet dhe cilësinë e ujit, por thekson nevojën për planifikim dhe monitorim të kujdesshëm gjatë procesit (Ibrahimi et al., 2024b).
Në Lumbardhin e Deçanit, largimi i Digës së Kotradiqit propozohet si masa kryesore për rikthimin e vazhdimësisë ekologjike, transportit natyror të sedimentit dhe rikolonizimit nga llojet e ndjeshme (Ibrahimi et al., 2025b).
Megjithatë, restaurimi i lumit nuk përfundon vetëm me largimin e betonit. Pa trajtimin e ujërave të zeza, kontrollin e marrjes së ujit, restaurimin e brigjeve dhe ndalimin e ndotjes, lumi vazhdon të mbetet nën presion.
Lumi i lirë si infrastrukturë natyrore
Energjia e rinovueshme është pjesë e tranzicionit energjetik, por jo çdo projekt i paraqitur si “i gjelbër” është automatikisht i qëndrueshëm. Një hidrocentral mund të prodhojë energji pa djegur lëndë fosile dhe, njëkohësisht, të shkaktojë fragmentim të habitatit, humbje të biodiversitetit dhe ndryshim të pakthyeshëm të një lumi të vogël malor.
Lumenjtë e lirë janë një formë e infrastrukturës natyrore. Ata transportojnë sediment, ndihmojnë në pastrimin e ujit, lidhin popullatat biologjike dhe mbështesin turizmin, rekreacionin dhe mirëqenien e komuniteteve.
Studimet nga Sharri, Mirusha dhe Lumbardhi i Deçanit tregojnë se dëmi ekologjik nuk fillon vetëm kur një lloj zhduket. Ai fillon kur rrjedha ndahet, kur peshqit nuk mund të migrojnë, kur insektet e ndjeshme zëvendësohen nga lloje tolerante dhe kur lumi fillon të trajtohet vetëm si sasi uji për shfrytëzim.
Prandaj, pyetja nuk duhet të jetë vetëm se sa energji prodhon një digë. Duhet të pyetet edhe se çfarë humbet lumi, çfarë humbet komuniteti dhe nëse ky çmim ekologjik është vlerësuar ndonjëherë sipas kritereve të plota shkencore.
Referencat
Ibrahimi, H., Bilalli, A., Gashi, A., Grapci Kotori, L., Slavevska Stamenković, V. & Geci, D. (2023). Potamophylax humoinsapiens sp. n. (Trichoptera, Limnephilidae), a new species from the Sharr Mountains, Republic of Kosovo. Biodiversity Data Journal, 11, e97969.
Ibrahimi, H., Grapci-Kotori, L., Bilalli, A. & Geci, D. (2024a). Freshwater Biodiversity Impacted by Hydropower Plants in the Sharr Mountains National Park – Rapid Field Assessment Report. Prishtinë.
Ibrahimi, H., Grapci-Kotori, L., Bilalli, A. & Geci, D. (2024b). Lumi Mirusha – Raporti Ekologjik i Lumenjve – 1. Prishtinë, 72 f.
Ibrahimi, H., Bilalli, A., Musliu, M., Geci, D. & Grapci Kotori, L. (2025a). Tinodes lumbardhi sp. nov. (Trichoptera, Psychomyiidae), a new species from the Lumbardhi i Deçanit River in Kosovo. Biodiversity Data Journal, 13, e143104.
Ibrahimi, H., Grapci Kotori, L., Bilalli, A. & Geci, D. (2025b). Assessment of the Environmental Status and Faunal Biodiversity of the Lumbardhi i Deçanit River and the Impact of the Kotradiq Dam – Final Report. Prishtinë.
Kuriqi, A., Pinheiro, A. N., Sordo-Ward, Á., Bejarano, M. D. & Garrote, L. (2021). “Ecological impacts of run-of-river hydropower plants—current status and future prospects on the brink of energy transition.” Renewable and Sustainable Energy Reviews, 142, 110833.
Weiss, S. et al. (2018). Endangered Fish Species in Balkan Rivers: Their Distributions and Threats from Hydropower Development. Riverwatch & EuroNatur.
Nuk ka komente ende.