Një zhvillim i rëndësishëm në trajtimin e kancerit të pankreasit
FDA miraton daraxonrasibin (RASONQUE), një terapi e re target për pacientët me adenokarcinomë metastatike të pankreasit.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar më 26 gusht 2026 barin daraxonrasib, me emrin tregtar RASONQUE, për trajtimin e të rriturve me adenokarcinomë metastatike të pankreasit, të cilët kanë marrë të paktën një trajtim sistemik paraprak ose që nuk janë kandidatë për terapi sistemike me kombinime të shumë barnave/kimioterapi.
Para pak muajsh, në një paraqitje në televizionin ATV, kam folur për këtë bar, i cili në atë kohë ishte ende në fazën e testimit klinik. Sot, ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në kërkimin e mundësive të reja terapeutike për një nga format më agresive të kancerit.
Ne në Norvegji mbrenda një jave do të fillojmë përdorimin e këtij bari në pacientët e me kancer të pankreasit me metastaza.
Çfarë është daraxonrasibi dhe si vepron?
Daraxonrasibi është një terapi target që frenon aktivitetin e proteinave të familjes RAS, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në rritjen dhe përhapjen e qelizave tumorale. Bari merret në formë tablete, një herë në ditë.
Çfarë treguan studimet klinike?
Në studimin klinik të fazës III RASolute 302, ku u përfshinë 500 pacientë me adenokarcinomë metastatike të pankreasit, të trajtuar më parë, u raportuan këto rezultate:
13,2 muaj mbijetesë mesatare me daraxonrasib.
6,7 muaj mbijetesë mesatare me kimioterapinë standarde.
Këto rezultate tregojnë një përmirësim prej rreth 6,5 muajsh në mbijetesën mesatare, krahasuar me kimioterapinë e përdorur në studim.
Është e rëndësishme të theksohet se bëhet fjalë për mbijetesën mesatare të vërejtur në një studim klinik, jo për një parashikim të saktë të jetëgjatësisë së çdo pacienti.
Cilat janë efektet anësore?
Efektet anësore më të shpeshta përfshijnë skuqjen e lëkurës, diarrenë, inflamacionin e mukozës së gojës (stomatitin), të përzierat, lodhjen, të vjellat, dhimbjet e barkut, ënjtjet, uljen e oreksit dhe hemorragjitë. Bari ka gjithashtu paralajmërime të tjera të rëndësishme të sigurisë, prandaj trajtimi kërkon mbikëqyrje mjekësore.
A është ky bar i përshtatshëm për çdo pacient?
Jo. Miratimi i FDA-së vlen për një grup të caktuar pacientësh të rritur me adenokarcinomë metastatike të pankreasit, sipas kritereve të përcaktuara. Vendimi për trajtim duhet të merret nga ekipi onkologjik, duke marrë parasysh gjendjen klinike, trajtimet e mëparshme, karakteristikat e tumorit dhe profilin e sigurisë së barit.
Përfundim:
Daraxonrasibi përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në terapitë target kundër kancerit të pankreasit. Edhe pse sëmundja mbetet një sfidë e madhe për mjekësinë moderne, rezultatet e reja klinike sjellin arsye për optimizëm të matur dhe për vazhdimin e kërkimeve shkencore.
Burimi: Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), 26 gusht 2026; studimi klinik RASolute 302.
Linku i fotos: https://pajhwok.com/2026/06/01/study-finds-daraxonrasib-boosts-survival-in-pancreatic-cancer/
Nuk ka komente ende.